STRUGË – Struga këto ditë është kthyer në një pikëtakim të shahistëve të rinj nga rajoni dhe më gjerë. Nga 5 deri më 8 shtator, qyteti pret edicionin e turneut të shahut “Mbretëresha e Liqenit”, ku marrin pjesë shahistë të rinj nga gjashtë shtete.
Turneu po sjell në Strugë një numër të konsiderueshëm të sportistëve të rinj, duke e kthyer qytetin jo vetëm në një arenë të garës sportive, por edhe në një hapësirë ku të rinjtë nga vende të ndryshme takohen dhe shkëmbejnë përvoja.
Organizimi i këtij aktiviteti i jep një tjetër dimension jetës sportive të Strugës dhe kontribuon në promovimin e qytetit si destinacion për aktivitete ndërkombëtare sportive.
“Mbretëresha e Liqenit” synon të promovojë shahun tek gjeneratat e reja, duke krijuar mundësi për garim, zhvillim dhe përvojë të re për shahistët e rinj.






