Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilluan një takim me Paulo Zampollin, të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump për Partneritetet Globale.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e PD-së shprehën mbështetjen për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe për administratën Trump.
Diskutimet u përqendruan te situata politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, ndërsa opozita ngriti shqetësime për demokracinë, shtetin e së drejtës, korrupsionin, krimin e organizuar dhe funksionimin e institucioneve.
PD theksoi gjithashtu shqetësimet për standardet e zgjedhjeve, duke akuzuar qeverinë për keqpërdorim të administratës publike, përdorim të parave të paligjshme dhe lidhje me krimin e organizuar. Përfaqësuesit e saj kërkuan forcimin e ndarjes së pushteteve, llogaridhënies dhe integritetit të proceseve zgjedhore.
Në takim u diskutua edhe ajo që PD e cilësoi si “agjenda Soros” në Shqipëri, për të cilën opozita pretendon se ka ndikuar në zhvillimet politike dhe institucionale.
Nga ana e tij, Zampolli shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar në avancimin e proceseve demokratike në vend.






