Në një kohë kur aktorët nga Maqedonia e Veriut dhe Ballkani gjithnjë e më shumë po depërtojnë në produksione ndërkombëtare, emri i Ubejd Muratit po shfaqet si një prej zërave të rinj që po ndërton rrugën e tij me pasion, disiplinë dhe ambicie të qartë. Me përvojë në projekte vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë rolin në filmin “Boxing Kid” nën regjinë e Louis Mandylor, Murati në një bisedë për Portalb.mk foli për sfidat e aktorëve të rinj, stereotipat në industri, rëndësinë e gjuhës dhe kontakteve, si dhe mungesën e infrastrukturës filmike në vend.
Portalb.mk: Aktorët nga Maqedonia e Veriut dhe Ballkani po shfaqen gjithnjë e më shumë në produksione ndërkombëtare. Sa e vështirë është realisht të depërtosh në këtë treg dhe cilat janë pengesat kryesore?
Ubejd Murati: Është e vështirë por jo e pamundur, dhe ky dallim është thelbësor. Kur mora rolin në Boxing Kid, në regji të Louis Mandylor me aktorë si Brian Krause dhe Peter Shinkoda, kuptova se pengesat kryesore nuk janë ato që mendojmë zakonisht. Nuk është talenti, sepse në Ballkan kemi talent të jashtëzakonshëm. Unë mendoj se janë tri gjëra: aksesi, gjuha, dhe mentaliteti. Aksesi sepse industria ndërkombëtare funksionon mbi rrjete që ne nuk i kemi ende të ndërtuara. Gjuha sepse anglishtja e lartë profesionale është kusht minimal, jo avantazh. Dhe mentaliteti sepse duhet të mendosh si aktor ndërkombëtar para se të bëhesh i tillë.
Portalb.mk: Shpesh thuhet se talenti nuk mjafton për sukses në aktrim. Në përvojën tënde, sa ndikojnë puna, kontaktet dhe mundësitë krahas talentit?
Ubejd Murati: Unë shpesh e them se talenti është bileta për të hyrë në sallë, por nuk të garanton ulëse. Unë e kam kuptuar këtë shumë herët. Pasioni për aktrimin u shfaqë tek unë që nga mosha 12 vjeçare, çë nga ajo moshë kam filluar të lexoj për Method Acting, Stanislavskin, Meisner Technique, jo sepse dikush më detyroi, por sepse e doja me gjithë qenien time. Por leximi dhe ëndërimi vetëm nuk të çon askund nëse nuk vepron. Puna e vazhdueshme, disiplina e përditshme, dhe guximi për të dalë para kamerës janë ato që të dallojnë. Kontaktet vijnë si rezultat i kësaj pune. Pra formula për mua është: talent plus punë obsesive plus guxim për të kapur mundësinë kur të paraqitet.
Portalb.mk: A vazhdojnë aktorët nga rajoni të përballen me role stereotipike dhe sa e vështirë është të dalësh nga këto korniza?
Ubejd Murati: Stereotipat ekzistojnë, do të ishte josinqeritet të thoja ndryshe. Industria ndërkombëtare shpesh na sheh nëpërmjet një filtri të ngushtë, duke na ofruar role që nuk e pasqyrojnë gjithë spektrin njerëzor që ne jemi të aftë ta luajmë. Unë vetë e kam përjetuar këtë, rolin që mora në Boxing Kid ishte antagonisti kryesor. Por ajo çfarë më interesoi nuk ishte etiketa e rolit, ishte thellësia e tij. Kalova kohë të konsiderueshme duke e ndërtuar atë personazh nga brenda, duke kuptuar motivimet e tij, kontradiktat, botën e tij të brendshme. Sepse një antagonist i vërtetë nuk është i keq sepse është i keq, ai është njeri që beson se ka të drejtë. Dhe kur e arrin atë nivel të personazhit, nuk luan më stereotipin por e tejkalon atë. Zgjidhja nuk është kurrë të refuzosh rolin është të sjellësh diçka aq të fuqishme brenda tij sa dhe publiku të shohin ndryshe. Dhe gradualisht, me çdo rol, ndërton një imazh që flet vetë.
Portalb.mk: Kur punon në projekte ndërkombëtare, cilat janë dallimet më të mëdha që vëren krahasuar me mënyrën se si funksionon industria e filmit te ne?
Ubejd Murati: Sinqerisht dallimet nuk janë aq të mëdha sa mendojnë shumë njerëz, dhe e them këtë nga përvoja direkte. Kur isha pjesë e filmit ‘Të Gjithë E Thërrasin Rexhën’ të regjisorit Ibër Deari, edhe pse roli im nuk ishte kryesor, kalova shumë kohë duke vëzhguar me kureshtje të madhe se si punojnë aktorët me njëri-tjetrin, si ndërton regjisori marrëdhënien me aktorin, si kordinohet kinematografia me ndriçimin. Ishte e bukur. Dhe ajo çfarë pashë ishte po thuaj se i njëjti pasion, i njëjti zjarr, i njëjti shpirt artistik që kam parë edhe në Boxing Kid me regjisorin amerikan Louis Mandylor. Ne kemi pasion. Kemi histori për të treguar. Kemi shpirtin e artistit. Pra Në aspektin e xhirimit si proces nuk do të ndryshoja asgjë. Ajo që mungon tek ne nuk është talenti apo dedikimi por është infrastruktura. Agjencionet, financimi, rrjetet e shpërndarjes. Këto janë elementet që i bëjnë industritë e mëdha të funksionojnë, dhe këtu kemi ende punë për të bërë.






