Klubi i Karatesë „Bashkimi” nga Kumanova ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Kampionatin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut për kadetë, juniorë dhe U21, duke konfirmuar edhe një herë punën e shkëlqyer profesionale që po bëhet me gjeneratat e reja.
Sportistët e klubit kumanovar shkëlqyen në tatami duke rrëmbyer tri medalje në kategoritë përkatëse:
Azem Azemi u shpall kampion shtetëror duke fituar medaljen e artë (vendi i 1-rë) në kategorinë -52 kg. Me këtë rezultat madhor, Azemi siguroi biletën zyrtare për të përfaqësuar ngjyrat e vendit në Kampionatin Botëror të Karatesë, i cili do të zhvillohet gjatë muajit tetor në Bielsko-Biała të Polonisë.
Rinar Bilalli zhvilloi një paraqitje mjaft cilësore në po të njëjtën kategori (-52 kg), duke arritur deri në finale dhe duke u zbukuruar me medaljen e argjendtë (vendi i 2-të).
Arbër Pajaziti tregoi luftime dinjitoze dhe përgatitje të lartë teknike në kategorinë -57 kg, ku u rendit i treti duke fituar medaljen e bronztë (vendi i 3-të).
Me këtë sukses, si Rinar Bilalli ashtu edhe Arbër Pajaziti siguruan vendin e tyre në reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut për Kampionatin Ballkanik, i cili do të zhvillohet gjatë muajit nëntor.
Garimi për KK „Bashkimi” vazhdon edhe nesër, ku në tatami do të zbarkojnë karateistët Bleart Memeti dhe Ylli Bilalli, nga të cilët priten gjithashtu paraqitje të dëshiruara dhe rezultate pozitive.
Këto rezultate të jashtëzakonshme në arenën kombëtare dhe kualifikimet për garat më të mëdha ndërkombëtare dëshmojnë punën e palodhshme stërvitore dhe përkushtimin e madh nën udhëheqjen e trajnerit Mursel Misini. (INA)






