Mijëra studentë dhe qytetarë janë mbledhur sonte në sheshin Slavija në Beograd, në kuadër të tubimit përmbyllës të listës studentore “Studentët fitojnë” (Studenti pobeđuju), të organizuar në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Tubimi zhvillohet nën sloganin “Fitorja po thërret”.
Sipas raportimeve të mediave serbe, në kryeqytet kanë mbërritur kolona studentësh dhe qytetarësh nga pjesë të ndryshme të Serbisë, të cilët kanë marshuar për disa ditë për të marrë pjesë në tubim. Ata janë pritur nga qytetarë të shumtë, ndërsa në sheshin Slavija dhe rrugët përreth është vërejtur pjesëmarrje e madhe.
Tubimi u zhvillua në një atmosferë të tensionuar politike, me prani të shtuar të policisë në disa zona të kryeqytetit dhe bllokim të trafikut në sheshin Slavija dhe rrugët përreth.
Gjatë fjalimeve, përfaqësuesit e listës studentore kërkuan drejtësi, përgjegjësi dhe institucione të pavarura. Lëvizja studentore, e cila prej muajsh ka organizuar protesta kundër korrupsionit dhe ka kërkuar ndryshime politike, tashmë po merr pjesë në garën zgjedhore me një listë të veçantë.
Në të njëjtën kohë, Partia Progresive Serbe (SNS), e udhëhequr nga aleatët politikë të presidentit Aleksandar Vuçiq, mbajti një tubim parazgjedhor në sallën sportive “Ranko Žeravica”, në Beogradin e Ri. Kështu, kryeqyteti serb u bë sonte skenë e tubimeve paralele politike, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 tetorit.








