Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, do të marrë pjesë sot në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Në kuadër të samitit, Siljanovska-Davkova do t’i drejtohet sesionit plenar me temën “Kompas drejt stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë”, ku pritet të diskutohet për sfidat dhe bashkëpunimin rajonal.
Mikpritëse e takimit është nënpresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, ndërsa në samit marrin pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, përfshirë presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, kryesuesin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës Denis Beqiroviq, ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu, presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar dhe presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviq.
Në margjinat e samitit, presidentja Siljanovska-Davkova pritet të zhvillojë takime bilaterale me nënpresidenten bullgare Ilijana Jotova dhe me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.






