Shtyhet seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta

Advertisement

Seanca e planifikuar për sot në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), në kuadër të çështjes ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, është shtyrë.

Sipas raportimeve, shkak për shtyrjen është bërë mungesa e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues, i cili ka marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të gjyqtarëve të thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Mbledhja është thirrur për të diskutuar qëndrimin e gjyqtarëve pas bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.

Ndërkohë, edhe avokatët kanë vendosur të bojkotojnë seancat në GJKKO. Sipas Dhomës Kombëtare të Avokatisë, vendimi lidhet me kundërshtimin e rregullores së re të sigurisë së kësaj gjykate, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2026.

Në muajt e fundit, gjykatat shqiptare kanë rrëzuar kërkesat e Ilir Metës për zëvendësimin e masës së paraburgimit me një masë tjetër. Ndërkohë, për çështjen ndaj tij janë zhvilluar disa seanca gjyqësore.

Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe akuzohet për vepra penale që lidhen me çështjen “CEZ-DIA” dhe kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas SPAK-ut, Meta dyshohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë. Ai ndodhet në paraburgim ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon.

Ish-presidenti është aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë dhe më herët ka mbajtur disa poste të larta shtetërore në Shqipëri.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit