Kërkesat e protestuesve në Shqipëri u zhvendosën në Kuvend, me një përplasje të ashpër mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Grupi parlamentar i PD-së së Sali Berishës kërkoi interpelancë urgjente për kryeministrin Edi Rama, lidhur me 5 kërkesat e protestuesve. Propozimi u hodh poshtë me 75 vota kundër, gjë që nxiti edhe më shumë debatin, ndërsa në fokus kishin edhe publikimin e listës së ish-ushtarëve ë UCK-së nga Taulant Balla. Gazmend Bardhi i PD-së tha se Balla duhet tu kërkojë falje ushtarëve por edhe familjarëve.
“Hajde kërko ndjesë, se kanë kërkuar të kërkosh ndjesë për fyerjen që i ke bërë një heroi për luftën tënde të pisët ndaj protestuesve dhe ndaj qytetarëve. Se ky je ti. Ti që s’dinë CV e Suelit me të cilin rrije 24 orë, din CV se kush është Protestuesi që flet ku nuk ka një protokoll filtrimi të atyre që flasin”, deklaroi Gazment Bardhi, Deputet i PD-së.
Balla nga ana tjetër u arsyetua duke thënë se në listën e publikuar nuk bëhet fjalë për komandant Tahir Sinanin, por për një tjetër ushtarë me të njëjtin emër.
“Skam çka kërkoj falje, falje të kërkojë ai që ia ndryshoi që Tahir Sinanaj e bëri Tahir Sinani. Tahir Sinanaj është nga Kukësi ndërsa Tahir Sinani është heroi ynë Kombëtar… Ju e bëtë Tahir Sinanin e bëtë Tahir Sinanaj dhe këtu mbyllet dhe familjes ja kam sqaruar më së miri sepse Sinani është nga Tropoja, Sinanaj janë nga Kukësi dhe këtu mbyllet. Por ju e përdorët këtë dhe këtu mbyllet ky diskutim”, tha Taulant Balla, Deputet i PS-së.
Përderisa në Kuvend zhvillohej debati, protestuesit u mblodhën jashtë godinës së Kuvendit duke bllokuar dhe hyrjen me kosha plehrash dhe duke brohoritur “Këtu e keni vendin”. Ndërkohë pati edhe përplasje me policinë. Protestuesit ndërkohë shprehën pakënaqësinë e tyre dhe goditën me vezë automjetin e zëvendëskryeministres Albana Koçiu.
Ndërkohë kryeministri shqiptar Edi Rama vazhdon të shpërfill kërkesat e protestuesve. Ai vazhdon të këmbëngul se Qeveria do të dalë më e fortë nga kjo protestë. Protestat sot shënojnë një muaj që qytetarë të shumtë shprehin pakënaqësitë e tyre dhe mes tjerash kanë kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe qeveri teknike jopartiake./Alsat.mk.





