LSDM: Po e bllokojmë Kodin Zgjedhor për të parandaluar mashtrimet zgjedhore

Advertisement

Partia opozitare LSDM i hodhi poshtë si “të pavërteta dhe propagandistike” pretendimet e kryeministrit Hristijan Mickoski se opozita po e bllokon Kodin Zgjedhor për shkak të, siç tha ai, “sukseseve të Qeverisë”. Në reagimin e saj, LSDM vlerëson se Qeveria nuk mund të flasë për suksese, duke iu referuar, sipas saj, gjendjes në ekonomi, procesit të integrimit evropian dhe financave publike, transmeton Portalb.mk.

“Do t’i përgjigjemi me fakte, e jo me propagandë”, thuhet në reagimin e LSDM-së, duke shtuar se raporti i fundit i Parlamenti Evropian, sipas tyre, tregon mungesë përparimi në fusha kyçe, si sundimi i ligjit, reformat në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit.

Partia pretendon se Maqedonia e Veriut ka mbetur prapa vendeve të tjera të rajonit në procesin e integrimit evropian dhe e akuzon Qeverinë për probleme ekonomike, rritje të borxhit publik dhe mungesë të investimeve.

Në reagim thuhet gjithashtu se Qeveria nuk i ka pranuar propozimet e opozitës gjatë përgatitjes së ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në kundërshtim me pretendimet e kryeministrit.

“LSDM nuk e bllokon Kodin Zgjedhor nga frika e sukseseve të Qeverisë, por për të parandaluar vjedhjen zgjedhore dhe sepse refuzon të marrë pjesë në një tjetër ligj të hartuar sipas masës së VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e partisë.

Reagimi vjen pasi kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se paralajmërimi i opozitës për bllokimin e Kodit Zgjedhor është i motivuar nga, siç tha ai, frika nga rezultatet që po arrin Qeveria.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndër të tjera, parashikojnë mundësinë e votimit elektronik të diasporës, një zgjidhje që ka shkaktuar reagime të ashpra politike dhe paralajmërime nga opozita për dorëzimin e mijëra amendamenteve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit