Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore, Borçe Serafimovski, zhvilloi sot takim pune me ambasadorin e Francës në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoler, dhe këshilltarin rajonal për bujqësi, Alexandre Martinez.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin e bujqësisë, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, veçanërisht në procesin e integrimit evropian dhe përshtatjen me standardet dhe praktikat e BE-së.
Një tjetër temë e diskutimit ishte pjesëmarrja më e madhe e kompanive dhe prodhuesve nga Maqedonia e Veriut në panairet e organizuara në Francë. Kjo do të mundësonte promovimin e produkteve vendore, zgjerimin drejt tregjeve të reja dhe krijimin e partneriteteve të reja afariste.
Serafimovski dhe ambasadori Le Rigoler konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e dialogut dhe realizimin e iniciativave të përbashkëta, me synim modernizimin e sektorit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe promovimin ndërkombëtar të bujqësisë së Maqedonisë së Veriut.






