Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë më 9 shtator, në orën 11:00. Këtë e ka bërë të ditur kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Dehari ka thënë se e konsideron pozitive arritjen e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, ai ka theksuar se ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e institucioneve.
“Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”, ka shkruar Dehari.
Ai ka shtuar se Kosova nuk ka nevojë për zvarritje të mëtejshme apo për një proces të ri zgjedhor.






