Hetim ndaj gjashtë personave për mashtrim dhe pastrim parash në Shkup

Advertisement

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka hapur hetim ndaj gjashtë personave nga Shkupi, të dyshuar për mashtrim dhe pastrim parash përmes dy kompanive, njëra e angazhuar për kontroll teknik të automjeteve dhe tjetra për ndërmjetësim në sigurimin e automjeteve.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë përgatitur fletëpagesa të rreme gjatë procedurave të kontrollit teknik, të cilat më pas janë miratuar dhe ekzekutuar nga personat përgjegjës. Në këtë mënyrë, pagesat nuk janë derdhur në arkën e shtetit, por në llogaritë e kompanive të përfshira në rast.

“Nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026, i dyshuari i parë, me qëllim përfitimi personal, ka përvetësuar mbi 138 milionë denarë, ndërsa të dyshuarit e tjerë e kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale”, kanë bërë të ditur nga Prokuroria.

Në kuadër të hetimit është përfshirë edhe ndihmësdrejtoresha për financa në Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore”. Prokuroria dyshon se kontabilisti ka evidentuar të dhëna të pasakta në dokumentacionin financiar, duke fshehur shumën reale të të hyrave.

Sipas hetimit, ndihmësdrejtoresha nuk ka kryer verifikimet e nevojshme të faturave, ndërsa dyshohet se e ka informuar pronarin e kompanisë së kontrollit teknik për veprimet e saj dhe përfitimet financiare.

Prokuroria pretendon se grupi në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit dhe ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme mbi 2.2 milionë euro. Sipas dyshimeve, paratë janë transferuar në llogari të kompanive të lidhura dhe më pas janë përdorur për blerjen e patundshmërive.

Për tre nga të dyshuarit, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit