Rikthehet funksionaliteti i rrugëve në Malin Sharr

Advertisement

Nga Parku Kombëtar Mali Sharr kanë bërë të ditur se vazhdon përmirësimi i kushteve për alpinistët, bjeshkatarët dhe vizitorët që vizitojnë Malin Sharr

Urim HASIPI

Tetovë, 14 shtator – Nga Parku Kombëtar Mali Sharr kanë bërë të ditur se kohëve të fundit punohet edhe infrastrukturën rrugore e cila ndër vite është dëmtuar shumë. Disa rrugë malore të cilët kanë ekzistuar në të kaluarën janë lënë pa mirëmbajtje dhe janë bërë të pakalueshme, ndërsa janë të nevojshme. Gjatë kryerjes së punëve jo rrallë herë autoriteteve të Parkut Kombëtar në Malin Sharr i vijnë në ndihmë edhe qytetarë.

“Gjatë javës që lamë pas, përfunduam sanimin dhe rikuperimin e rrugës malore nga Bozovca drejt luginës së Leshnicës, një rrugë që për shkak të neglizhencës dhe mungesës së mirëmbajtjes ndër vite ishte katandisur në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë, pothuajse të pakalueshme.S ot, kjo rrugë është përsëri e kalueshme dhe funksionale. Një falënderim i veçantë dhe publik për bageristin Remzi Xheladini, për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e shkëlqyer gjatë realizimit të punimeve”, ka bërë të ditur Evzal Elmazi drejtor i Parkut Kombëtar Mali Sharr.

Krahas kësaj, së fundmi Parku kombëtar në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe komunën e Jegunovcës përfunduan edhe sanimin dhe rikuperimin e rrugës malore nga fshati Stara Sellë deri te Shtëpia Malore Luboten. Por, sipas Elmazit, puna nuk ndalet këtu, pasi që nga kjo javë vazhdohet më tej me sanimi e rrugëve tjera malore.

“Me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, si dhe në koordinim me Komunën e Bogovinës, fillojmë sanimin e rrugës malore nga Kodra e Diellit-Stani i Murselit-Novosellë, në një gjatësi prej rreth 22 kilometrash. Punimet do të zhvillohen në faza, ndërsa fillimisht nga Kodra e Diellit deri te Stani i Murselit, e më pas nga Stani i Murselit deri në fshatin Novosellë. Qëllimi ynë është i qartë, rrugë më të kalueshme, qasje më e mirë në territor dhe kushte më të sigurta për banorët lokal, blegtorët, punonjësit e Parkut, turistët vendas dhe të huaj, institucionet dhe të gjithë ata që e vizitojnë Malin Sharr. Me punë në terren, me bashkëpunim ndërinstitucional dhe me mbështetjen e partnerëve tanë, vazhdojmë ta ndërtojmë dhe ta bëjmë Malin Sharr më të qasshëm, më të sigurt dhe më funksional”, njoftoi drejtori Elmazi.

Në këtë drejtim, nga Parku Kombëtar kanë bërë të ditur se vazhdon përmirësimi i kushteve për alpinistët, bjeshkatarët dhe vizitorët që vizitojnë Malin Sharr.

“Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e kushteve në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr, është realizuar riparimi i strehimores në lokalitetin pranë Majës së Titos. Këto hapësira kanë një rëndësi të veçantë për alpinistët, bjeshkatarët dhe vizitorët që zgjedhin të eksplorojnë zonat e larta të Malit Sharr, duke ofruar një mundësi për pushim dhe strehim gjatë qëndrimit në mal. Për Parkun Kombëtar Mali Sharr, mbrojtja e natyrës shkon paralelisht me kujdesin për infrastrukturën dhe hapësirat që u shërbejnë vizitorëve. Mirëmbajtja e tyre është pjesë e përkushtimit tonë për të ruajtur funksionalitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në një mjedis malor që kërkon kujdes të vazhdueshëm”, njoftojnë nga Parku Kombëtar Mali Sharr. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit