Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive po vazhdon procesin e konsultimeve për hartimin e Strategjisë për Multikulturalizëm dhe Kohezion Shoqëror për periudhën 2027–2032.
Sot u mbajt dita e dytë e takimit konsultativ, ku morën pjesë profesorë universitarë, ekspertë të fushave përkatëse, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve kompetente.
Qëllimi i takimit është përfshirja e ekspertizës profesionale, shkëmbimi i mendimeve dhe paraqitja e propozimeve konkrete, të cilat do të shërbejnë si bazë për përcaktimin e prioriteteve dhe masave që do të përfshihen në strategjinë e re.
Pas hapjes së takimit dhe fjalës hyrëse të ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, puna vazhdoi përmes prezantimeve tematike dhe diskutimeve të hapura me pjesëmarrësit.
Gjatë ditës së dytë, vëmendje e veçantë iu kushtua dy fushave prioritare: institucioneve dhe mediave.
Nëpërmjet kontributit të ekspertëve dhe profesorëve universitarë u shqyrtua roli i institucioneve në avancimin e multikulturalizmit, përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërmjet bashkësive, si dhe rëndësia e mediave në promovimin e dialogut ndërkulturor, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe kohezionit shoqëror.
Programi përfshiu edhe diskutime të hapura, gjatë të cilave pjesëmarrësit patën mundësinë të paraqesin qëndrimet, propozimet dhe rekomandimet e tyre, me synimin që dokumenti strategjik të jetë gjithëpërfshirës dhe të pasqyrojë gjendjen reale dhe nevojat e shoqërisë.
Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive thekson se mbetet e përkushtuar ndaj një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke siguruar pjesëmarrjen aktive të institucioneve, komunitetit akademik, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile në hartimin e Strategjisë për Multikulturalizëm dhe Kohezion Shoqëror 2027–2032.








