Pas një periudhe qetësie, alarmet e rreme për mjete shpërthyese janë rikthyer në shkollat e mesme të Tetovës.
Sot, e-maile kërcënuese janë pranuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn” dhe në Shkollën Ekonomike “8 Shtatori”. Pas njoftimit, policia ka dalë në terren dhe pas kontrolleve ka konfirmuar se bëhej fjalë për alarme të rreme.
Drejtoresha e Shkollës së Mjekësisë, Malsore Ramadani, tha se raste të tilla ndikojnë negativisht te nxënësit dhe bëri thirrje për angazhim më të madh institucional në parandalimin e këtyre rasteve.
Gjatë vitit të kaluar, dhjetëra alarme të ngjashme shkaktuan ndërprerje të procesit mësimor në shkollat e Tetovës. Edhe pse në fillim të këtij viti një nxënës u ndalua si i dyshuar, deri tani nuk ka informacion zyrtar për masat e mëtejshme ndaj tij.






