Qyteti i Shkupit hap thirrjen për subvencionimin e zejtarëve, mbështetje për zanatet që po zhduken

Advertisement

Qyteti i Shkupit ka publikuar thirrjen publike për subvencionimin e zejtarëve deficitare, me qëllim mbështetjen e veprimtarive zejtare që po shënojnë rënie të vazhdueshme dhe ruajtjen e zanateve tradicionale.

Për masën informoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili theksoi se zanatet janë pjesë e rëndësishme e traditës, kulturës dhe identitetit të qytetit.

“Ata janë ruajtës të një të kaluare të pasur, por edhe pjesë e rëndësishme e së ardhmes sonë ekonomike. Prandaj, është detyrë e përbashkët t’i mbështesim, t’i ndihmojmë të mbijetojnë dhe të krijojmë kushte që aftësitë e tyre të vazhdojnë të jetojnë te gjeneratat e ardhshme”, tha Gjorgjievski.

Të drejtë aplikimi në thirrjen publike kanë zejtarët me vendbanim në territorin e Qytetit të Shkupit, pra në komunat Aerodrom, Gazi Babë, Butel, Çair, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Vodë, Saraj, Qendër dhe Shut Orizari, të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara në thirrje dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm.

Mund të aplikojnë edhe zejtarët që gjatë vitit aktual nuk kanë përfituar mbështetje financiare nga Qyteti i Shkupit, si dhe personat e regjistruar sipas Ligjit për Zejtari dhe posedues të lejes zejtare, të cilët ushtrojnë veprimtari që, sipas të dhënave të përpunuara, shënojnë rënie të vazhdueshme të aktivitetit.

“Me këtë masë japim mbështetje konkrete për njerëzit që me punën, dijen dhe përkushtimin e tyre ruajnë autenticitetin e Shkupit. Të mos lejojmë që zanatet e vjetra të mbeten vetëm kujtim i së kaluarës”, theksoi kryetari.

Detajet për kushtet dhe mënyrën e aplikimit janë të publikuara në thirrjen publike të Qytetit të Shkupit. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit