Zekirija Tahiri porosi Dimitrievskit të ZNAM-it: Qytetarët i ndëshkojnë politikanët që ndërtojnë karrierën mbi kërcënimet dhe urrejtjen

Advertisement

Deputeti i VLEN-it, Zekirija Tahiri ka reaguar me një mesazh drejtuar Maksim Dimitrievskit të ZNAM-it, duke kritikuar retorikën përçarëse, kërcënimet dhe qëndrimet që sipas tij, “nxisin ksenofobi dhe përjashtim në shoqëri”.

Në reagimin e tij në Fejsbuk, Tahiri thekson se koha kur njëra palë vendoste për të drejtat e tjetrës ka kaluar, ndërsa shoqëritë moderne duhet të ndërtohen mbi barazinë, dinjitetin dhe gjithëpërfshirjen.

Ai i ka bërë thirrje Dimitrievskit që të përqendrohet te problemet dhe nevojat e banorëve të qytetit të tij, duke shmangur retorikën që mund të nxisë ndasi mes komuniteteve.

“Për secilin që tenton t’i zëvendësojë këto vlera me ksenofobi dhe përjashtim, qytetarët e kanë një mënyrë për ta ndëshkuar: votën“, shkruan Tahiri.

Deputeti i VLEN-it gjithashtu ka paralajmëruar se politikanët që ndërtojnë karrierën mbi frikën, kërcënimet dhe urrejtjen, sipas tij, përfundojnë duke dështuar politikisht.

“Historia është e mbushur me politikanë që menduan se mund ta ndërtonin karrierën mbi frikën, kërcënimet dhe urrejtjen. Por fundi i tyre politik ka qenë pothuajse gjithmonë i njëjtë: dështimi“, ka theksuar mes tjerash deputeti Tahiri.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit