Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Mërgimtarëve të Livadhisë në Zvicër, me të cilët ka diskutuar për projektet aktuale dhe planet zhvillimore të komunës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qyra bëri të ditur se gjatë takimit i ka informuar bashkatdhetarët për investimet që po realizohen në Strugë, ndërsa ka dëgjuar edhe idetë, propozimet dhe kërkesat e tyre për zhvillimin e vendlindjes.
Ai vlerësoi angazhimin e mërgatës për ruajtjen e kulturës, traditave dhe identitetit, si dhe për kontributin e saj në mbledhjen e fondeve për investime në vendlindje.
“Mërgata jonë nuk është vetëm krenaria jonë, por edhe një forcë e jashtëzakonshme për zhvillimin e Strugës. Si Komunë, do të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi me çdo strugan, kudo që jeton, sepse vetëm së bashku mund t’i japim qytetit tonë të ardhmen që e meriton”, ka shkruar Qyra.
Ai gjithashtu falënderoi bashkatdhetarët për lidhjen e vazhdueshme me vendlindjen, duke theksuar se Struga do të mbetet gjithmonë shtëpia e tyre.






