Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari sot realizoi takim pune me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler, në të cilin u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer bilateral në fushën e drejtësisë, sundimit të së drejtës dhe proceseve reformuese.
Në takim u vlerësua se Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare dhe reformave në gjyqësor.
Në procesin e përgatitjes së Kodit të ri Penal, në bashkëpunim me IRZ – Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, u përgatitën mendime profesionale nga profesorë të njohur universitarë, të cilat përfshijnë disa fusha kyçe të së drejtës bashkëkohore penale.
Në takim u përshëndet edhe kontributi i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në përgatitjen e Ligjit për Zyrën për Rikthimin e Pasurisë dhe Ligjit për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, përfitimit pasuror dhe sendeve të konfiskuara në procedurën penale dhe kundërvajtëse.
Shasivari dhe Dreksleri konfirmuan angazhimin e përbashkët për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, shkëmbimin e ekspertizës dhe mbështetjen e proceseve reformuese, me qëllim forcimin e sundimit të së drejtës dhe afrimin e sistemit tonë të drejtësisë me standardet evropiane. përcjell Zhurnal.mk .






