Qeveria do të kërkojë koncesioner të ri për “Llojanin”, pasi ai i mëparshmi u largua pa i pastruar helmet

Qeveria ende nuk ka gjetur një zgjidhje për pikën e nxehtë ekologjike “Llojan”. As nuk i mbuloi deponitë kancerogjene, as nuk investoi para për t’i asgjësuar ato, as nuk arriti t’i eksportojë ato jashtë vendit gjatë dekadës së fundit me ndihmën e një kompanie të huaj, kështu që tani do ta aktivizojë lokalitetin me ndihmën e një koncesioneri të ri, raporton Sloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Disa mijëra banorë të komunës së Likovës, përfshirë këtu edhe 400 fëmijë nga shkolla “Rilindja” në fshatin Llojan që ndjekin mësim në vetëm 100 metra larg deponisë së rrezikshme, edhe këtë vit do të vazhdojnë të jetojnë në një mjedis “të pasur” me antimon dhe arsen.

Praktikisht, për banorët e fshatrave të Likovës dhe shëndetin e tyre është humbur më shumë se një dekadë, nëse dihet se kompania turke “Kaltun Madencilik” e fitoi koncesionin që në vitin 2014. Sipas kontratës kjo kompani do të bënte mbledhjen e antimonit, me detyrimin që ta eksportojë të gjithë deponinë e arsenit toksik jashtë vendit. Por para ndërprerjes së kontratës në vitin 2022 ajo arriti të pastrojë dhe të shesë vetëm 60 nga gjithsej 15.000 ton, që është vetëm 0,4 përqind.

Pasi largimit të kompanisë turke mbetën helmet në tokë dhe ujë, ndërsa tani Qeveria po ngre një “procedurë të re për eksploatimin dhe trajtimin e lëndëve të para minerale teknogjene” në “Llojan”, në kuadër të, siç thonë nga atje, “kompetencave ligjore dhe përcaktimit strategjik të Qeverisë për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”.

“Bëhet fjalë për një qasje të bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe parimet e ekonomisë qarkulluese, me ç’rast mbetjet teknogjene nga miniera e mëparshme trajtohen si një burim dytësor, e jo si një barrë ekologjike. Në këtë mënyrë paralelisht po zgjidhen sfidat ekologjike të trashëguara për dekada dhe po krijohen kushte për eksploatimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të materialeve ekzistuese”, theksojnë për “Slloboden Peçat” nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para.

Në këtë drejtim nga atje shtojnë se Qeveria ka marrë vendim për formimin e një Komisioni për koncesionin, me çka procedura zyrtarisht hyri në fazën aktive institucionale. Çështja me lokalitetin “Llojan”, siç pretendojnë ata, do të zgjidhet përmes rregullave, kontrolleve dhe detyrimeve të definuara qartë për operatorin e ardhshëm, në interes të mbrojtjes së mjedisit jetësor, shëndetit të qytetarëve dhe zhvillimit lokal.

“Në këtë fazë nuk është përzgjedhur koncesioneri dhe nuk është lidhur kontratë sepse procesi do të zbatohet në përputhje me një procedurë të përcaktuar ligjërisht dhe përmes një Shpalljeje publike, duke i zbatuar parimet e transparencës, konkurrueshmërisë dhe interesit publik”, thanë nga Ministria kompetente, duke shtuar se hapat e mëtejshëm do të jenë “në përputhje me angazhimin e Qeverisë për menaxhim të përgjegjshëm të burimeve minerale dhe harmonizim me politikat e gjelbra evropiane”.

 “Llojani“ – “vrasësi i heshtur“

Miniera e kromit, antimonit dhe arsenit “Llojan” u mbyll në vitin 1979. Pastaj, përmes hetimeve të ndryshme vendi hyri në grupin e 16 “pikave të nxehta ekologjike” në Maqedoni. Një studim fizibiliteti i realizuar në vitin 2007, i mbështetur nga Qeveria Çeke dhe UNDP, tregoi se në disa nga lumenjtë lokalë ka ndotje “mesatare” dhe në disa “ekstreme”.

Një përfundim i përgjithshëm në lidhje me “rreziqet e larta ekologjike dhe shëndetësore” për “Llojanin” qëndron edhe në një dokument të vitit 2017 të përpiluar nga një grup hulumtuesish dhe profesorësh nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip dhe Instituti i Mineralogjisë dhe Kristalografisë në Vjenë.

“Disa mostra të ujërave të marra nga puset (dhe në veçanti mostra numër 19 nga fshati Vaksinc) kanë përmbajtje arseni dhe antimoni që janë dukshëm mbi kufijtë e ujit të pijshëm të caktuara nga agjenci të ndryshme rregullatore”, thuhet në studim.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit