Pa kaluar as 24 orë, kapet i dyshuari i parë për dhunën ndaj punëtorëve të “Higjienës Komunale”; Iseni: Askush nuk është mbi ligjin!

Advertisement

Pa kaluar as 24 orë nga sulmi ndaj dy punonjësve të NP “Higjiena Komunale” – Shkup natën e festës së 28 Nëntorit, policia ka identifikuar dhe ka privuar nga liria të dyshuarin e parë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

“Në kohë rekord, veprimi policor ka dhënë rezultat konkret. Është identifikuar dhe privuar nga liria i dyshuari i parë për sulmin ndaj dy punonjësve të Higjienës Komunale”, shkruan Iseni.

Sipas tij, bëhet fjalë për një person të mitur me inicialet N.K. Në lidhje me rastin është ftuar edhe babai i tij.

Ky reagim i shpejtë bie në sy, sepse në vitet e kaluara raste të ngjashme dhune, sidomos gjatë festave, shpesh kanë zgjatur me javë ose kanë mbetur pa epilog. Kësaj radhe, i dyshuari i parë u privua nga liria brenda një dite.

Iseni bën të ditur se hetimi vazhdon intensivisht për identifikimin dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë rast.

“Kemi prova të mjaftueshme dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thekson zëvendësministri.

Ai kujton se kishte premtuar që rasti nuk do të mbetet pa epilog.

“Përgjegjësi do të ketë për secilin që ka marrë pjesë në këtë sulm. Askush nuk është mbi ligjin!”, shkruan Iseni.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit