Ndërtimi i autostradës Prilep–Manastir po vazhdon, ndërsa ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, në maj deklaroi se punimet po zhvillohen me dinamikë të lartë dhe se sfidat përgjatë trasesë po tejkalohen përmes koordinimit ndërmjet institucioneve dhe kontraktuesit. Sipas njoftimeve të deritanishme, segmenti pritet të përfundojë në fillim të vitit 2028.
Fillimisht, si afat për përfundimin dhe vënien në përdorim të kësaj pjese të autostradës ishte përmendur gjysma e dytë e vitit 2027.
Ndërkohë, trafiku në rrugën e vjetër Prilep–Manastir vazhdon të jetë i ngarkuar, pasi kjo rrugë përdoret edhe gjatë kohës që zhvillohen punimet në trasenë e re.
Kryetarja e Këshillit të Komunës së Manastirit, Gabriela Ilievska, ka reaguar lidhur me gjendjen e rrugës dhe sigurinë e komunikacionit, duke kërkuar që të merren masa për përmirësimin e kushteve dhe vazhdimin e punimeve në projekt.
Në reagimin e saj, Ilievska ka përmendur numrin e aksidenteve dhe ka kërkuar që të sigurohen mjetet e nevojshme, të bëhen publike kontratat dhe të vazhdojnë punimet në terren.
Shqetësime janë shprehur edhe nga qytetarët, veçanërisht për qarkullimin gjatë natës, kur sipas tyre sinjalizimi dhe ndriçimi në disa pjesë të rrugës nuk janë të mjaftueshme.
Në këtë aks qarkullojnë gjithashtu makineri bujqësore, të cilat, në raste të caktuara, mund të paraqesin vështirësi shtesë për pjesëmarrësit në komunikacion, veçanërisht kur mungon sinjalizimi i nevojshëm.
Rruga e vjetër Prilep–Manastir vazhdon të shfrytëzohet nga një numër i madh automjetesh, pasi aktualisht mbetet një nga lidhjet kryesore rrugore ndërmjet dy qyteteve dhe për qarkullimin në rajonin e Pellagonisë.
Ndërkohë, përfundimi i autostradës së re pritet të krijojë një alternativë më të sigurt dhe më efikase për qarkullimin ndërmjet Prilepit dhe Manastirit.






