Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë dritën jeshile për rifillimin e bisedimeve trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë

Advertisement

Lajmi u bë i ditur pas takimit që Putin zhvilloi të mërkurën, më 21 tetor, në Shën Petersburg, me të dërguarin e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff.

Lajmi u konfirmua nga Yuri Ushakov, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit rus. Ai bëri të ditur se gjatë bisedës, e cila zgjati gati tre orë, Putin i tha Witkoff se Rusia është e gatshme të rifillojë negociatat trepalëshe, duke propozuar si datë nisjeje 10 nëntorin.

Megjithatë, Ushakov theksoi se çështja kryesore do të jetë mënyra se si mund të garantohet siguria e të dyja palëve pas përfundimit të konfliktit.

Bisedimet e mëparshme trepalëshe, ku marrin pjesë diplomatë dhe jo liderët e vendeve, nuk kanë shënuar përparim të rëndësishëm, përveç shkëmbimeve të të burgosurve.

Ushakov deklaroi gjithashtu se negociatori amerikan e informoi Putinin për bisedimet që kishte zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Oslo, duke vënë në dukje elemente të reja në qëndrimet e Ukrainës dhe të vendeve evropiane.

 

 

Megjithatë, përfaqësuesi i Kremlinit komentoi se këto bisedime “nuk përmbanin shumë elemente të dobishme”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Kina po përgatitet për një takim të mundshëm mes Vladimir Putinit, Xi Jinpingut dhe Donald Trumpit në Shenzhen.

Ndërkohë, Steve Witkoff, kryenegociatori i Donald Trumpit në bisedimet e paqes mes Kievit dhe Moskës, vlerësoi presidentin rus Vladimir Putin, pasi SHBA-ja siguroi lirimin nga Rusia të një ish-mësuesi 74-vjeçar.

“Falë jush, ai po kthehet në shtëpi, pranë familjes së tij”, deklaroi Witkoff, përpara se t’i drejtohej Putinit me fjalët: “Ju shpesh thoni se presidenti im është humanist. Edhe ju jeni humanist, zotëri”.

Steven Hubbard, me origjinë nga Miçigani, ishte arrestuar pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe ishte dënuar me gati shtatë vjet burg, nën akuzën e përfshirjes në veprimtari mercenare. Ekipi i tij ligjor e ka kundërshtuar këtë akuzë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit