Padi miliardëshe: Elon Musk përballet me OpenAI në një betejë gjyqësore vendimtare

Një nga përballjet më të mëdha ligjore në industrinë e teknologjisë ka nisur mes Elon Musk dhe OpenAI, me një padi që kap vlerën rreth 134 miliardë dollarë dhe që pritet të zgjasë disa javë në Kaliforni.

Në qendër të çështjes janë akuzat e Muskut se OpenAI ka devijuar nga misioni i saj fillestar jofitimprurës për zhvillimin e inteligjencës artificiale në shërbim të njerëzimit, duke u shndërruar në një strukturë me orientim fitimprurës dhe duke thelluar bashkëpunimin me Microsoft.

Gjatë procesit gjyqësor pritet të dëshmojnë figura kyçe të industrisë, përfshirë edhe CEO-n e Microsoft-it, Satya Nadella, si dhe drejtues aktualë dhe ish-bashkëpunëtorë të OpenAI.

Musk kërkon kompensim të konsiderueshëm financiar dhe ndryshime në strukturën drejtuese të kompanisë, përfshirë largimin e drejtuesve aktualë. Nga ana tjetër, OpenAI i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të ndikuara nga rivaliteti në sektorin e inteligjencës artificiale.

Kjo çështje po shihet si një test i rëndësishëm për të ardhmen e qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe për mënyrën se si kompanitë teknologjike balancojnë misionet e tyre fillestare me presionin e tregut global./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit