Në njoftimin e aktivitetit thuhet se takimi mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe reflektimin mbi sfidat e përbashkëta të rajoneve tona. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se, për t’u kujdesur për pyjet, duhet të kuptojmë se ato nuk njohin kufij
Vjollca SADIKU
Dibër, 22 nëntor – Nevojitet më shumë angazhim për mbrojtjen e pyjeve në rajon dhe aktivitet i vazhdueshëm nga të gjitha shtetet e rajonit. Kjo, ndër të tjera, u theksua në tryezën rajonale që u mbajt në Strugë, me ekspertë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Gjatë vizitës në rajonin e malit Jabllanicë dhe diskutimeve në tryezë për pyjet e rajonit, u konkludua se duhet bërë më shumë për mbrojtjen e pyjeve.
Kjo, ndër të tjera, u theksua në aktivitetin e organizuar nga organizata CNVP, tha eksperti dibran Noli Osmani, pjesëmarrës në këtë aktivitet. “Qëndruam dy ditë mes natyrës dhe diskutimeve për ardhmërinë e pyjeve tona. Së bashku me ekspertët nga qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut dhe kolegët nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, në malin Jabllanicë, patëm mundësinë të shohim nga afër lidhjen mes natyrës dhe zhvillimit lokal. Nga iniciativa Green Cottage Jablanica, që ndërthur turizmin e qëndrueshëm me produktet lokale dhe efiçiencën energjetike, te pyjet e gështenjës dhe kullotat malore, çdo ndalesë solli tema të vlefshme për diskutim”, tha eksperti dibran Noli Osmani.
Ai për gazetën KOHA theksoi se me interes të veçantë për të kanë qenë edhe bisedat rreth pyjeve të gështenjës dhe vështirësive gjatë mbledhjes së gështenjave. “Ato nxorën në pah rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të këtyre pyjeve, si për ruajtjen e natyrës, ashtu edhe për të ardhurat, traditat dhe jetesën e komuniteteve lokale”, tha Osmani.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet ndanë përvojat e tyre nga terreni dhe diskutimet në tryezë. U theksua nevoja për një menaxhim më të qëndrueshëm, me qëllim ruajtjen e biodiversitetit të pyjeve dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në njoftimin e aktivitetit thuhet se takimi mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe reflektimin mbi sfidat e përbashkëta të rajoneve tona. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se, për t’u kujdesur për pyjet, duhet të kuptojmë se ato nuk njohin kufij. (koha.mk)








