Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj propozimit për organizimin e provimit të jurisprudencës me pjesën teorike në gjuhën shqipe dhe pjesën praktike në gjuhën maqedonase, duke e krahasuar këtë model me zgjidhjet e viteve të para të pluralizmit në vend.
Në një status publik, Osmani rikujton vitin 1993, kur pas përpjekjeve dhe përplasjeve të shumta u hapën dy klasat e para në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Shkup, ku ai vetë ishte pjesë e asaj gjenerate.
Reagimi i plotë i Bujar Osmanit:
Sot, kur dëgjova “zgjidhjen” për provimin e jurisprudencës – teoria në shqip, praktika në maqedonisht m’u kujtua menjëherë viti 1993.
Atë vit, pas shumë përplasjesh, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Shkup u hapën dy klasat e para në gjuhën shqipe. Isha pjesë e asaj gjenerate.
Edhe atëherë na ofrohej një zgjidhje e ngjashme: një pjesë në shqip, një pjesë në maqedonisht. Ishte koha kur dikush e konsideronte veten pronar të të drejtave tona dhe na i jepte ato me lugë të vogël, sipas masës që e gjykonte të përshtatshme.
Prandaj më duket e pabesueshme që, 33 vjet më vonë dhe 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, e njëjta logjikë po paraqitet si sukses.
Ironia bëhet edhe më e madhe nga fakti se zëvendëskryeministri Bekim Sali ishte pjesë e po atyre dy klasave bashkë me mua. Ai e ka jetuar atë kohë. E di shumë mirë se çfarë simbolizonte ai model dhe pse u deshën vite të tëra për ta tejkaluar.
Pikërisht për këtë arsye, do të duhej të ishte i pari që ta kuptonte se zgjidhjet e vitit 1993 nuk mund të shiten si arritje në vitin 2026.
Sepse pas Marrëveshjes së Ohrit, të drejtat nuk kërkohen si favor dhe nuk jepen me lugë të vogël. Ato garantohen si të drejta.





