Në brifingun e sotëm me gazetarët, prokurori Hazbi Iseni bëri të ditur se Prokuroria ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit 30-ditor ndaj tre personave të dyshuar për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar.
Tre të dyshuarit u paraqitën sot para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit, pasi Prokuroria Publike hapi hetim për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, të shkaktuara me ndotje të ujit të pijshëm”.
Para gjykatës u paraqitën ushtruesja e detyrës drejtoreshë e NP “Komunalec” – Gostivar, Artana Asani, udhëheqësi teknik Leon Mezini dhe përgjegjësi i Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore, Vadedin Dauti.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit më 25 qershor, në cilësinë e bashkëkryerësve, dyshohet se kanë urdhëruar vendosjen e tre pompave në një kanal me ujë sipërfaqësor që përmbante materie të dëmshme, pranë dhomës së mbushjes së sistemit të furnizimit me ujë. Qëllimi i vendosjes së pompave, sipas hetimeve, ishte testimi i presionit të ujit në sistem.
Gjatë kontrollit të kryer më 16 korrik, autoritetet konstatuan se dy nga pompat ende ishin në funksion dhe përmes tyre uji i ndotur po transferohej në sistemin e ujit të pijshëm.
Analizat e Institutit të Shëndetit Publik treguan se uji nga kanali sipërfaqësor ishte shumë i ndotur dhe i papërdorshëm për çdo qëllim. Gjurmë ndotjeje u konstatuan edhe në mostrat e marra nga burimi i kapur dhe nga rrjeti i ujësjellësit.
Për kërkesën e Prokurorisë për paraburgim 30-ditor do të vendosë gjyqtari i procedurës paraprake. Ndërkohë, Prokuroria Publike në Gostivar njoftoi se hetimet vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.
Si u zbulua rasti?
Sipas informacioneve të bëra publike gjatë një brifingu me gazetarët, tre pompat për rritjen e presionit të ujit në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit ishin vendosur më 25 qershor, ndërsa denoncimi i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme është bërë më 16 korrik.
Pas pranimit të denoncimit, MPB-ja njoftoi Prokurorinë Publike, ndërsa me urdhër të prokurores Zuhra Selimi, ekipet kompetente dolën në terren po atë ditë, rreth orës 16:00–17:00, për të kryer veprimet hetimore.
Gjatë kontrolleve u konstatua se në sistem ishin vendosur tre pompa. Njëra prej tyre nuk ishte në funksion, ndërsa dy të tjerat ishin të instaluara në komorën e sistemit të ujësjellësit me qëllim rritjen e presionit të ujit.
Këto janë informacionet e para zyrtare të publikuara nga institucionet për këtë rast. Hetimet vazhdojnë, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës Themelore të Gostivarit lidhur me kërkesën për paraburgim ndaj tre të dyshuarve.
Këto janë informacionet e para të bëra publike nga institucionet gjatë brifingut me gazetarët. Ora24 do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë rast dhe do t’ju informojë në kohë reale për çdo zhvillim të ri./Ora24.tv






