88 vjet nga “Nata e Xhamit të Thyer”, 9 Nëntori rikthen kujtimin e krimeve naziste dhe viktimave të fashizmit

Advertisement

Sot, më 9 nëntor, shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Fashizmit dhe Antisemitizmit, një datë që rikujton një nga kapitujt më të errët të historisë evropiane dhe përcjell mesazhin kundër urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës.

Kjo ditë lidhet me ngjarjet tragjike të 9 dhe 10 nëntorit të vitit 1938, të njohura si “Kristallnacht” apo “Nata e Xhamit të Thyer”, kur regjimi nazist organizoi sulme të dhunshme ndaj komunitetit hebre në Gjermani dhe Austri.

Gjatë këtyre sulmeve, dhjetëra hebrenj u vranë, mijëra biznese dhe banesa u shkatërruan, ndërsa rreth 30 mijë burra hebrenj u arrestuan dhe u dërguan në kampet e përqendrimit. Më shumë se 1.400 sinagoga u dogjën ose u dëmtuan rëndë.

Ngjarja mori emrin “Nata e Xhamit të Thyer” për shkak të xhamave të thyer të vitrinave të dyqaneve hebreje, që mbuluan rrugët pas sulmeve.

Kjo natë konsiderohet një pikë kthese në përndjekjen sistematike të hebrenjve nga regjimi nazist, duke i paraprirë Holokaustit, gjatë të cilit u vranë rreth gjashtë milionë hebrenj.

88 vjet më vonë, mesazhi mbetet aktual.

Dita Ndërkombëtare kundër Fashizmit dhe Antisemitizmit synon jo vetëm përkujtimin e viktimave, por edhe ndërgjegjësimin e shoqërisë për rreziqet që sjellin racizmi, ksenofobia, ekstremizmi dhe gjuha e urrejtjes.

Që nga vitet ’90, rrjeti evropian UNITED for Intercultural Action koordinon fushata dhe aktivitete përkujtimore, duke përfshirë organizata, institucione arsimore dhe qytetarë në promovimin e tolerancës dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Përkujtimi i 9 Nëntorit është një thirrje që historia të mos harrohet dhe që shoqëritë demokratike të reagojnë ndaj çdo forme diskriminimi, për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të së kaluarës.

Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit