49 automjete të reja dhe pajisje të specializuara për higjienën komunale do t’i marrin Qyteti i Shkupit dhe disa komuna në vend, në kuadër të një projekti të realizuar me mbështetjen e Bankës Botërore.
Automjetet e reja u prezantuan sot nga kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski, si dhe kryetari i ZELS-it, Orce Gjorgjievski.
Nikoloski theksoi se blerja është realizuar përmes një procesi transparent. Nga vlera e parashikuar prej 5.5 milionë eurosh, pajisjet janë blerë për 4.2 milionë euro, duke kursyer rreth 1.3 milionë euro.
Sipas tij, në kuadër të projektit janë blerë gjithsej 19 kamionë multifunksionalë të llojeve të ndryshme, 9 kamionë-cisterna të specializuar dhe 21 automjete multifunksionale, të cilat do të përdoren për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Pajisjet do të shpërndahen në Shkup, Kumanovë, Prilep, Ohër, Tetovë, Negotinë, Kërçovë, Dibër dhe Veles, ndërsa Nikoloski tha se pret që përmes projekteve të tjera të sigurohen pajisje edhe për komunat e mbetura.







