Strugani Albert Hani, për të gjashtin vit radhazi pjesë e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit

Advertisement

Strugani Albert Hani, për të gjashtin vit radhazi pjesë e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit

*Albert Hani nga Struga*, Drejtor i Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), mori pjesë për të gjashtin vit radhazi në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Shën Stefan të Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Samiti mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit më të lartë politikë të vendeve europiane që mbështesin këtë proces, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe partnerë të tjerë europianë.

Përmes pjesëmarrjes së tij, Hani vazhdon të promovojë rëndësinë e luftës kundër korrupsionit si një ndër prioritetet kryesore të dialogut politik rajonal dhe të integrimit europian. Në këtë kontekst, ai theksoi rolin dhe kontributin e RAI-t në forcimin e integritetit institucional, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Europës Juglindore.

“Për të gjashtin vit radhazi kam kënaqësinë të jem pjesë e Procesit të Berlinit dhe e samiteve të liderëve të Ballkanit Perëndimor. Është gjithmonë inkurajuese të shohësh se fryma e këtij procesi jo vetëm që sjell shpresë për pajtim, bashkëpunim dhe një të ardhme më të mirë për rajonin, por shërben edhe si një platformë e rëndësishme ku dialogu politik dhe zotimet e përbashkëta shndërrohen në rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Më gëzon veçanërisht fakti që RAI është pjesë e kësaj platforme, krahas nismave të tjera rajonale që japin një kontribut të çmuar për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

*Kjo është mënyra se si, së bashku, kontribuojmë në ndërtimin e një kulture të përbashkët integriteti!*”, u shpreh Hani.

Duke vlerësuar organizimin e shkëlqyer dhe mikpritjen e Malit të Zi, i cili kryeson Procesin e Berlinit gjatë këtij viti, Hani shprehu bindjen se kryesimi i ardhshëm nga Austria do të ketë një bazë të fortë mbi të cilën mund të ndërtojë rezultate të mëtejshme.

Ai shprehu gjithashtu pritshmërinë që lufta kundër korrupsionit të vazhdojë të mbetet ndër prioritetet më të larta të Procesit të Berlinit, duke theksuar se integrimi europian i rajonit kërkon jo vetëm vullnet politik, por edhe institucione të forta, përgjegjshmëri dhe rezultate të prekshme./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit