Filipçe shkarkon deputeten Petrovska nga posti i zëvendëskoordinatores së Grupit Parlamentar

Advertisement

Venko Filipçe po e shkarkon deputeten Sllavjanka Petrovska nga posti i zëvendëskoordinatores së Grupit Parlamentar të LSDM-së. Në koordinimin e sotëm, ai i ka njoftuar disa nga deputetët e pranishëm se udhëheqësia e LSDM-së, me të në krye, ka marrë vendim për shkarkimin e Petrovskës nga kjo pozitë. Sipas informacioneve të Tv 24, ai tashmë e ka ngarkuar koordinatorin Oliver Spasovski që t’i dërgojë letër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa në vend të Petrovskës pritet të emërohet deputetja Jovana Trençevska, e cila është nënkryetare e LSDM-së.

Sipas procedurave, letrën duhet ta nënshkruajnë të gjithë deputetët, përfshirë edhe Petrovska.

Disa nga kolegët e saj kanë insistuar që të zhvillohet debat për këtë vendim. Kjo veçanërisht për shkak se, sipas praktikës, zëvendëskoordinatorët i cakton koordinatori i Grupit Parlamentar. Megjithatë, sipas informacioneve të TV 24, Oliver Spasovski nuk është konsultuar fare. Filipçe, pasi e ka njoftuar vendimin, është larguar nga takimi, duke thënë se kishte obligime të tjera.

Sipas informacioneve jozyrtare, Petrovska e ka nënshkruar dokumentin, por ka kërkuar vetëm një arsyetim për vendimin. Filipçe nuk ka qenë i pranishëm për t’ia dhënë atë, ndërsa Trençevska ka thënë vetëm se “arsyet janë të njohura”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit