Gashi: Ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit kërkojnë konsensus të gjerë politik

Advertisement

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një diskutim tematik me Avokatin e Popullit, Faton Selami, lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Avokatin e Popullit, të cilat synojnë forcimin e pavarësisë dhe funksionalitetit të këtij institucioni.

 

Gashi theksoi se ndryshimet ligjore janë të rëndësishme për mbrojtjen më efektive të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, duke nënvizuar nevojën për vetëdije dhe përkushtim më të madh institucional.

 

“Ndryshimet ligjore kanë për qëllim forcimin e pavarësisë, integritetit dhe funksionalitetit të Avokatit të Popullit, me qëllim mbrojtjen më efektive të të drejtave dhe lirive të qytetarëve”, deklaroi Gashi.

Ai gjithashtu theksoi se procesi kërkon bashkëpunim ndërmjet partive politike, pasi mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të jetë interes i përbashkët, pavarësisht dallimeve politike.

“Për këtë proces nevojitet përkushtim institucional dhe konsensus i gjerë ndërmjet të gjitha partive politike”, u shpreh kryeparlamentari.

Gashi shtoi se Kuvendi mbetet i përkushtuar për krijimin e një kornize ligjore që garanton pavarësi reale për Avokatin e Popullit dhe mundëson përmbushjen e plotë të mandatit të tij, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe nevojat e qytetarëve.

Në diskutim morën pjesë edhe ambasadori dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val, ambasadori dhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, si dhe koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbia.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit