Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, duke folur në Kanal 5 për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, theksoi se rreth 80 për qind e trasesë do të përfshijë objekte, apo siç u shpreh ai, do të jetë “në beton”.
Nikollovski përmendi edhe një sërë objektesh që parashikohet të ndërtohen përgjatë kësaj autostrade, për shkak të konfiguracionit të vështirë të terrenit, përfshirë tunele, galeri dhe struktura të tjera.
I pyetur për akuzat e zyrtarëve të BDI-së se traseja e vjetër e rrugës nuk ka ndryshuar, Nikollovski i hodhi poshtë këto pretendime. Sipas tij, traseja e re nuk do të kalojë nëpër tokat e funksionarëve të BDI-së.
“ Kjo është ajo që u dhemb funksionarëve të BDI-së”, deklaroi Nikollovski.
Ai shtoi se, sipas projektit të ri, autostrada do të kushtojë 40 milionë euro më pak, që përbën rreth 20 për qind të çmimit fillestar të planifikuar.
“Këtë nuk e themi ne, por e thotë një kompani e njohur franceze”, tha Nikollovski, duke theksuar se punimet në këtë korridor pritet të përfundojnë më shpejt nga afati i paraparë.






