Kombinimi i transportit të qëndrueshëm dhe tranzicionit të gjelbër e bën Maqedoninë e Veriut lidere në rajon, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë fjalimit në ngjarjen për fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e parkut me erë të kompanisë “Alkazar” në Shtip.
Nikolloski vlerësoi se investimi në parkun me erë është dëshmi e vizionit për forcimin e stabilitetit energjetik të vendit, por edhe tregues se Qeveria punon në mënyrë të përkushtuar dhe në partneritet me investitorët.
“Dje festuam 35 vite pavarësi të Maqedonisë. Në mëngjes e hapëm Aeroportin e rikonstruktuar të Ohrit, në mbrëmje të gjithë u argëtuam me tingujt e bukur të muzikës elektronike të David Guettas, ndërsa sot fillojmë me parkun me erë. Mendoj se kjo është dëshmia më e mirë se shteti ka një të ardhme moderne, një të ardhme që është në hap me shekullin 21”, deklaroi Nikolloski.
Ai theksoi se kombinimi i transportit të qëndrueshëm dhe tranzicionit të gjelbër paraqet një nga drejtimet kryesore që, sipas tij, po e pozicionon Maqedoninë e Veriut si lidere në rajon.
Nikolloski tha se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë projektin, duke përmendur kontributin e institucioneve dhe pushtetit lokal në realizimin e tij.
“Vetë fakti që sot jemi këtu dhe se për tre vite do ta lëshojmë këtë park me erë është dëshmia më e mirë për punën tonë”, deklaroi zëvendëskryeministri.
Në realizimin e projektit, sipas Nikolloskit, kanë kontribuar Qeveria, Ministria e Energjetikës, pushtetet lokale të Shtipit, Karbincit dhe Radovishit, si dhe ekipet e Ministrisë së Transportit, Kadastrës, Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor.






