Sistemi për mbikëqyrjen e trafikut “Safe City” nga e shtuna, 12 shtator 2026, do të fillojë të funksionojë edhe në territorin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Veles.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas përfundimit të verifikimeve teknike dhe testimeve përfundimtare, kamerat e sistemit do të aktivizohen në rrugët në territorin e SPB Veles.
Sipas MPB-së, aktivizimi i “Safe City” do të mundësojë kontroll më të madh dhe të vazhdueshëm të trafikut, zbulimin në kohë të shkeljeve të rregullave të komunikacionit, rritjen e disiplinës së drejtuesve të automjeteve dhe përmirësimin e sigurisë në rrugë.
“Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që t’i respektojnë denjësisht rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe me sjellje të përgjegjshme të kontribuojnë për siguri më të madhe në rrugë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Me zgjerimin e sistemit në territorin e Velesit, autoritetet synojnë të forcojnë monitorimin e trafikut dhe të rrisin sigurinë rrugore.






