Janevska për rezultatet e PISA-s: Pasojat e reformave do të shihen pas 9-10 vitesh

Advertisement

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka komentuar rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2025, duke deklaruar se rezultatet e dobëta të nxënësve janë pasojë e reformave të zbatuara në periudhat e mëparshme.

Janevska tha se qeveria aktuale erdhi në pushtet në vitin 2024, ndërsa testimi PISA u zhvillua vetëm disa muaj më vonë, në vitin 2025.

Sipas saj, rezultatet e reformës që aktualisht po zbatohet në sistemin arsimor do të mund të vlerësohen vetëm pas disa vitesh, kur nxënësit që janë pjesë e saj të arrijnë moshën 15-vjeçare.

“Për fat të keq, në vitin 2001 kemi pasur rezultate më të mira në lexim dhe të kuptuar. Rezultatet më të mira i kemi pasur në vitin 2018, që, sipas mësimdhënësve dhe analizave, është rezultat i reformës ‘Kembrixh’. Rezultatet e reformës që po zbatohet aktualisht do t’i shohim kur këta nxënës të mbushin 15 vjeç, pra diku pas 9-10 vitesh”, deklaroi Janevska.

Sipas rezultateve të PISA 2025, nxënësit 15-vjeçarë nga Maqedonia e Veriut kanë shënuar rezultate nën mesataren e vendeve të OECD-së në matematikë, lexim dhe shkencë. Në matematikë, vetëm 32 për qind e nxënësve kanë arritur nivelin bazë të njohurive, ndërsa mesatarja e OECD-së është 65 për qind.

Në shkencë, rreth 36 për qind e nxënësve kanë zotëruar konceptet bazë, ndërsa asnjë nxënës nuk ka arritur nivelet më të larta 5 ose 6. Në lexim, vetëm rreth 26 për qind e nxënësve kanë arritur nivelin 2 ose më lart, ndërsa asnjë nxënës nuk ka arritur nivelin më të lartë.

Duke folur për ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në rezultatet e nxënësve, Janevska tha se nuk mund të thuhet se AI është faktori i vetëm që ndikon në performancën e tyre.

Sipas saj, ndikim mund të kenë edhe rrjetet sociale, përdorimi i pakontrolluar i telefonave dhe tabletëve, si dhe faktorë të tjerë shoqërorë.

Janevska theksoi se nxënësit duhet të zhvillojnë aftësitë bazë të leximit, shkrimit, të menduarit kritik dhe analizës, ndërsa teknologjia duhet të përdoret si mjet për ta mbështetur procesin e të nxënit.

Sa i përket përdorimit të telefonave gjatë mësimit, ministrja tha se në një numër të madh shkollash në vend telefonat nuk përdoren gjatë gjithë ditës dhe nxënësit i vendosin ato në kuti ose pajisje të posaçme gjatë orëve mësimore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit