Nikolloski: Autobusët e parë elektrikë në Shkup pritet të mbërrijnë në janar

Advertisement

Autobusët e parë elektrikë ekologjikë pritet të mbërrijnë në Shkup në janar të vitit të ardhshëm, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në emisionin „Samo intervju“ në TV Kanal 5.

Prokurimi përfshin gjithsej 150 autobusë, të cilët, sipas Nikolloskit, pritet të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit në Shkup dhe në komunat e tjera që kanë transport publik të organizuar.

„Qyteti i Shkupit kërkoi 250 autobusë, ndërsa komunat kërkuan 89. Autobusë do të marrin edhe komuna të tjera, ndër to Kumanova, Shtipi, Strumica, Gjevgjelia, Kavadari, Prilepi, Manastiri, Ohri, Gostivari dhe Tetova“, deklaroi Nikolloski, duke paralajmëruar se lista e plotë e komunave përfituese do të publikohet më vonë.

Sipas tij, kontrata për prokurimin është nënshkruar në fillim të shtatorit, ndërsa dinamika fillestare parashikon që dorëzimi i autobusëve të nisë brenda gjashtë muajve. Megjithatë, siç theksoi ai, kompania fituese ka premtuar se autobusët e parë do të mbërrijnë që në janar.

Duke komentuar vërejtjet e organizatave të shoqërisë civile lidhur me prokurimin publik, Nikolloski vlerësoi se disa nga krahasimet e bëra nuk janë të përshtatshme, pasi krahasohen autobusët elektrikë me autobusë që përdorin gaz natyror të kompresuar.

Ai theksoi se autobusët që do të blihen kanë 32 ulëse, ndërsa autobusët me të cilët janë krahasuar kanë 29 ulëse. Sipas tij, në të dyja rastet bëhet fjalë për autobusë standardë me gjatësi prej 12 metrash.

Si shembull shtesë, Nikolloski përmendi Zagrebin, ku, sipas tij, për një shumë të ngjashme janë blerë vetëm 62 autobusë elektrikë.

Zëvendëskryeministri paralajmëroi se lista e detajuar e komunave që do të përfitojnë autobusë do të publikohet në vijim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit