Nga Shkupi u lëshua komunikata e parë e UÇK-së, Ahmeti tregon emrin

Advertisement

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka rrëfyer detaje lidhur me komunikatën e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke bërë të ditur se ajo ishte lëshuar nga Shkupi.

Në një emision në TV Dukagjini, Ahmeti ka përmendur edhe personin që, sipas tij, e kishte dërguar komunikatën përmes faksit. Ai ka treguar se dokumenti ishte shkruar me një makinë të vjetër shkrimi dhe lidhej me një person nga Kërçova.

Më 17 nëntor 1994, krahas vendimit për emërtimin e formacionit ushtarak si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte hartuar edhe komunikata e parë që do të publikohej në emër të saj.

Sipas Ahmetit, dokumenti mbante numrin 11, duke lënë të kuptohej se deri në atë kohë ishin kryer edhe një numër aksionesh të armatosura.

“Është komunikata numër 11, nëse nuk gaboj, gjoja se edhe shumë aksione të tjera janë kryer”, ka deklaruar Ahmeti në ciklin e emisioneve “Dosjet” në Debat Plus.

Ai ka thënë se komunikata ishte shpërndarë nga Shkupi nga Abdylmexhit Karaga, në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Në komunikatë, UÇK-ja merrte përgjegjësinë për 11 aksione të armatosura, përfshirë sulmin e 9 nëntorit 1994 në Gllogovc ndaj Lutfi Ajazit, pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Emri i UÇK-së do të shfaqej në shtyp disa ditë më vonë. Sipas hulumtimit të prezantuar në ciklin “Dosjet”, më 29 nëntor 1994 gazeta “Rilindja”, duke iu referuar mediumit serb “Večernje Novosti”, raportoi se UÇK-ja kishte marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Ajazit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit