Komisioni për Emërtimin e Rrugëve në Komunën e Tetovës pritet të mbajë javën e ardhshme mbledhjen e radhës, ndërsa deri në shtator pritet të përfundojë lista e propozimeve që më pas do t’i dorëzohet Këshillit Komunal dhe Qeverisë.
Kryetari i Komisionit dhe zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, tha se në mbledhjen e ardhshme pritet të shqyrtohen edhe emra të rinj.
“Besojmë që brenda shtatorit, gjegjësisht në seancën e shtatorit të Këshillit Komunal, ta kemi listën përfundimtare të emrave që ta vërtetojmë së pari me votim në Këshill dhe pastaj ta dërgojmë në Qeveri për miratim”, deklaroi Qamili.
Ndërkohë, nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shprehin rezerva për mënyrën se si po zhvillohet procesi. Nënkryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Amet Qazimi, tha se nga 74 propozimet e deritanishme, 47 për qind janë emra shqiptarë, 24 për qind maqedonas, ndërsa 29 për qind janë emra ndërkombëtarë ose universalë.
Sipas Qazimit, në listën e deritanishme nuk janë përfshirë edhe disa nga emrat që më parë ishin shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Propozimet e dhëna nga ana e anëtarit tonë të komisionit nuk u pranuan, përfshirë edhe emrat e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, nuk u pranuan edhe propozimet e tjera të paraqitura nga përfaqësuesit e partive të tjera opozitare”, tha Qazimi.
Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte shfuqizuar 14 emra për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore.
Komuna e Tetovës prej rreth tre vitesh është duke zhvilluar procedurën për riemërtimin e rrugëve. Komisioni në përbërjen e re të Këshillit Komunal deri më tani ka mbajtur dy mbledhje.






