Çmimet në korrik: Shpenzimet e jetesës rriten 2,3% në nivel vjetor, ushqimet ulen në bazë mujore

Advertisement

Shpenzimet e jetesës në korrik janë rritur me 2,3 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në bazë mujore rritja ka qenë minimale, prej 0,1 për qind, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave.

Në nivel vjetor, rritjet më të mëdha të shpenzimeve janë regjistruar te pijet alkoolike dhe duhani me 9,5 për qind, rekreacioni dhe sporti me 5,7 për qind, si dhe restorantet dhe akomodimi me 4,4 për qind.

Transporti ka shënuar rritje vjetore prej 1,1 për qind. Sipas të dhënave statistikore, në krahasimin vjetor nuk është regjistruar ulje e shpenzimeve në kategoritë e përfshira në indeks.

Në anën tjetër, në krahasimin mujor, ushqimet dhe pijet joalkoolike në korrik janë liruar për 1,1 për qind krahasuar me qershorin. Produktet bujqësore me pakicë kanë shënuar ulje prej 3,1 për qind.

Në nivel vjetor, çmimet e produkteve ushqimore me pakicë kanë shënuar një ulje të lehtë prej 0,2 për qind.

Rritje mujore është regjistruar edhe te transporti, ku shpenzimet janë rritur për 4,4 për qind në korrik. Kjo rritje lidhet kryesisht me ndryshimet në çmimet e derivateve të naftës.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse shpenzimet e jetesës mbeten më të larta se një vit më parë, në krahasimin mujor çmimet kanë shënuar ndryshime relativisht të vogla, ndërsa ushqimet kanë pasur ulje.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit