Numri i turistëve të huaj në Maqedoninë e Veriut është rritur për 23,6 për qind gjatë pesë muajve të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, numri i netëqëndrimeve të realizuara është rritur për 18,7 për qind.
Të dhënat janë pjesë e statistikave të fundit për sektorin e turizmit dhe tregojnë një rritje të numrit të vizitorëve të huaj në vend.
Sipas të dhënave të përmendura nga Qeveria, në të njëjtën periudhë është shënuar edhe rritje e numrit të pasagjerëve që mbërrijnë përmes transportit ajror. Sipas një raporti të Bankës Botërore, numri i pasagjerëve në mbërritje është rritur me 40 për qind në nivel vjetor.
Rritja e numrit të turistëve është shoqëruar edhe me zhvillimin e ofertës turistike në disa fusha, përfshirë turizmin kulturor, historik, gastronomik dhe rural.
Sipas Qeverisë, zhvillimi i turizmit synon të krijojë më shumë mundësi për bizneset lokale, veçanërisht për sektorin e hotelerisë, guidat turistike, zejtarët dhe bizneset familjare.
Një pjesë e masave të ndërmarra lidhet edhe me mbështetjen e investimeve në zonat rurale përmes Programit për Zhvillim Rural, me qëllim krijimin e kapaciteteve dhe ofertave të reja turistike.
Qeveria thotë se në fokus janë edhe përmirësimi i infrastrukturës turistike, lidhjet e transportit dhe krijimi i kushteve për investime të reja në kapacitetet akomoduese.
Të dhënat për pesë muajt e parë të vitit tregojnë një trend pozitiv në numrin e turistëve të huaj dhe në numrin e netëqëndrimeve në Maqedoninë e Veriut.






