Nëse deri më 22 gusht 2026 prokuroria kompetente nuk paraqet aktakuzë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, masa e paraburgimit shtëpiak ndaj tij mund të përfundojë në bazë të afatit të përcaktuar me ligj.
Grubi, i cili më 23 shkurt 2026 u dorëzua në pikën kufitare Bllacë pas rreth 14 muajsh qëndrimi në Kosovë, dyshohet për përvetësim të 8,2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore. Për arsye sigurie, ai më pas është transferuar nga burgu i Shutkës në arrest shtëpiak.
Afati i procedurës ka shkaktuar reagime politike mes koalicionit VLEN dhe opozitës së BDI-së.
VLEN kërkon sqarime nga Prokuroria
Nga VLEN kanë kërkuar që Prokuroria të japë sqarime publike për ecurinë e rastit “Lotaria” dhe arsyet pse ende nuk është ngritur aktakuzë.
Në reagimin e tyre, ata kanë ngritur dyshime lidhur me zhvillimin e procedurës hetimore dhe kanë kërkuar informacione për veprimet e ndërmarra pas gjetjeve të autoriteteve amerikane.
VLEN ka bërë gjithashtu pretendime për rolin dhe njohuritë që, sipas tyre, Grubi mund t’i ketë lidhur me aktivitetet në Lotarinë Shtetërore.
BDI: Vendimet duhet të bazohen në ligj dhe prova
Nga BDI i kanë cilësuar kërkesat e VLEN-it si presion politik ndaj institucioneve të drejtësisë.
Sipas BDI-së, prokurorët duhet të marrin vendime në bazë të ligjit, provave dhe ekspertizave, dhe jo në bazë të kërkesave politike.
BDI ka akuzuar gjithashtu VLEN-in se përmes kësaj çështjeje po tenton të zhvendosë vëmendjen nga problemet dhe rastet që lidhen me persona nga radhët e saj.
Rasti ndaj Artan Grubit mbetet në procedurë, ndërsa deri më 22 gusht pritet të shihet nëse Prokuroria do të paraqesë aktakuzë ose do të ndërmarrë hapa të tjerë proceduralë.






