Ndryshojnë kushtet për kreditë, Banka Popullore vendos rregulla të reja

Advertisement

Banka Popullore vendos rregulla të reja për bankat gjatë miratimit të kredive për qytetarët. Ndryshimet hyjnë në fuqi më 1 dhjetor dhe parashohin uljen e nivelit maksimal të borxhit që mund të mbulohet nga të ardhurat mujore.

Për kreditë në denarë, kësti maksimal mujor do të ulet nga 50 në 45 për qind të të ardhurave, ndërsa për kreditë me komponent valutor kufiri zbret nga 45 në 40 për qind.

Përjashtim bëjnë kreditë për blerjen e parë të banesës, ku kufijtë mbeten 50 për qind për kreditë në denarë dhe 45 për qind për kreditë me komponent valutor.

Ndryshime do të ketë edhe në afatet e shlyerjes. Për kreditë për banim, afati maksimal ulet nga 30 në 25 vjet, ndërsa për kreditë konsumatore hipotekare nga 20 në 15 vjet. Për blerjen e parë të banesës, afati maksimal mbetet 30 vjet.

Sipas Bankës Popullore, qëllimi i këtyre masave është parandalimi i rritjes së tepërt të borxhit të familjeve dhe kufizimi i rreziqeve që mund të krijohen nga mbingarkesa me kredi.

Banka qendrore thekson se sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe se cilësia e portofolit të kredive për qytetarët vazhdon të përmirësohet. Sipas të dhënave të saj, kreditë për personat fizikë në gjysmën e parë të vitit u rritën me 12.2 për qind në bazë vjetore, ndërsa rritja më e madhe u regjistrua te kreditë për banim, me 16.6 për qind.

Masat makroprudenciale për kreditë u vendosën për herë të parë nga Banka Popullore në vitin 2023, ndërsa ato u forcuan më tej në dhjetor të vitit 2025.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit