Klekovski: Spitali i ri është synim, por Kërçova po pajiset dhe fuqizohet që tani

Advertisement

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, gjatë vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës, tha se ndërtimi i një spitali të ri mbetet një nga synimet, por qytetarët nuk mund të presin deri në realizimin e projektit.

“Spitali i ri është synimi ynë, por qytetarët e Kërçovës dhe të rrethinës nuk mund të presin derisa ai të ndërtohet. Prandaj, spitalin po e fuqizojmë që tani, me pajisje të reja, shërbime të reja dhe staf të ri”, deklaroi Klekovski.

Sipas ministrit, gjatë vitit 2025 spitali është pajisur me aparaturë të re imunologjike për analiza të ndryshme, analizator të gazrave për pacientët urgjentë, aparat të ri anesteziologjik, gastroskop dhe pajisje të tjera për sallën e operacionit.

Në spital janë punësuar gjithashtu katër mjekë të mjekësisë së përgjithshme, ndërsa katër mjekë specialistë janë në specializim. Për pesë specialistë të tjerë, procedura e specializimit është drejt përfundimit.

Drejtoresha e spitalit, Maja Cvetanoska Trajkovska, tha se në repartin e radiologjisë janë vendosur rëntgen digjital, mamograf digjital dhe aparat ultrazëri 3D/4D me elastografi, të siguruara me mbështetjen e Komunës së Kërçovës.

Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2025 në kabinetin e radiologjisë janë kryer rreth 19.500 ekzaminime, ndërsa në bllokun operativ janë realizuar mbi 200 ndërhyrje kirurgjikale.

Kryetari i Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, tha se komuna do të vazhdojë ta mbështesë spitalin dhe realizimin e projektit për ndërtimin e objektit të ri.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit