Zëvëndësdrejtori i Doganave të RMV-së, Mustafa Dauti, është kundërpërgjigjur ndaj kumtesës së BDI-së, në të cilën VLEN akuzohet për zëdhënës kundër Shqipërisë. Derisa Mustafa në reagimin e tij ka sjellë fakte që dëshmojnë të kundërtën dhe i ka dërguar porosi BDI-së që të mbrojë të gjithë bashkëpartiakët nga hetimet edhe nëse janë shumë pasi së fundi ka hatërmbetje në këtë drejtim.
“Tani, një gjë duhet ta ndajmë BDI kur ishte në pushtet duhej të kujdesej për shqiptarët e Shqipërinë por nuk e bëri as njërën as tjetrën. Tani kur BDI është në opozitë po kujdeset vetëm për grup njerëzish që po hetohen edhe këtu po bën ndarje. Prandaj, është mirë që BDI të mbrojë të gjithë bashkëpartiakët pa dallim nga hetimet edhe nëse janë shumë pasi së fundi ka hatërmbetje në këtë drejtim. Derisa ne si VLEN kujdesemi për çështjet e shqiptarëve dhe lidhjen me Shqipërinë”, ka shkruar zëvëndësdrejtori, Mustafa Dauti.
Dauti thotë se BDI e ka pasur rastin ta dëshmojë veten por ka dështuar në lidhje me Shqipërinë.
“Të akuzosh VLEN-in si “zëdhënës kundër Shqipërisë” është manipulim klasik, pasi e vërteta është kjo prej kur VLEN-i është në pushtet lidhjet me Shqipërinë janë shtuar e shpeshtuar, duke eliminuar kolonat në pikat kufitare, duke ju mundësuar tabela në dy gjuhë e besa edhe furnizim me derivate të naftës me çmime shumëfish më të lira. Pra, me BDI-në Shqipëria e Maqedonia e Veriut pikëtakim kishin bunarin rreth të cilit silleshin me Vuçiqin, derisa me VLEN-in lidhja me Shqipërinë mbetet prioritet përmes korridorit 8. VLEN nuk sulmon Shqipërinë, por nuk e kemi ndërmend ta kursejmë hipokrizinë e BDI-së”, ka shkruar tutje Dauti.
Ai mbyll me paralajmërin për një muaj historik për shqiptarët.
“E vërteta është kjo VLEN nuk është zëdhënës i askujt kundër shqiptarëve. VLEN është zëdhënës i shqiptarëve kundër padrejtësisë e hipokrizisë. Ata që sot shpifin, janë po ata që deri dje e përdorën kauzën kombëtare për interesat e tyre klanore.
Ne vazhdojmë, pranvera mirë ka nis, maji do të jetë muaji historik për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut!” ka përfunduar Mustafa.




