Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuarnë Shqipëri zhvillohet seance në themel ndaj ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai ndodhet në qeli që prej tetorit 2024, ndërsa është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me çështjen “CEZ-DIA” dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Meta ka mbërritur në ambientet e gjykatës, ndërsa ka përshëndetur me dy gishta dhe ka bërë simbolin e shqiponjës.
Në gjykatë ka mbërritur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila është gjithashtu e pandehur në të njëjtën dosje.
Gjatë kësaj faze të procesit, Meta ka kërkuar që seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt për mediat, duke argumentuar se transparenca dhe llogaridhënia janë të domosdoshme përpara publikut. Sipas tij, mediave duhet t’u garantohet sinjali për transmetim e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore.
Ndërkohë jashtë ambienteve të Gjykatës janë mbledhur edhe mbështetës së ish-Presidentin Meta dhe anëtarë të Partisë së Lirisë.




