Mucunski në Kiev: “Qëndrojmë me Ukrainën, kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”

Advertisement

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi sot një vizitë zyrtare njëditore në Kiev, me ftesë të ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Andrij Sibikha.

Gjatë vizitës, Mucunski zhvilloi bisedime bilaterale për bashkëpunimin mes dy vendeve, perspektivën evropiane dhe sfidat aktuale të sigurisë. Ai bëri të ditur se për të mbërritur në Kiev ka udhëtuar për më shumë se 20 orë me avion, tren dhe automobil.

“Diskutuam për thellimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe bashkëpunimit bilateral, perspektivën evropiane dhe sfidat aktuale të sigurisë. E konfirmova mbështetjen tonë të fortë dhe të vazhdueshme për Ukrainën dhe për parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare”, deklaroi Mucunski.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke nënvizuar se kufijtë nuk mund të ndryshohen përmes forcës.

“Qëndrojmë me Ukrainën. Ukraina është shtet sovran. Integriteti territorial i saj duhet të respektohet. Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”, tha Mucunski.

Sipas tij, për arritjen e një paqeje të qëndrueshme nevojitet veprim i përbashkët i partnerëve ndërkombëtarë. Ai gjithashtu paralajmëroi se vendi do të jetë i gatshëm të mbështesë procesin e rindërtimit të Ukrainës.

“Siguria e Ukrainës është siguri evropiane. Udhëheqja amerikane dhe përgjegjësia evropiane duhet të veprojnë së bashku për të krijuar kushte për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Mbështetja jonë do të vazhdojë, dhe kur të vijë koha për rindërtim, duam të jemi këtu jo vetëm si miq, por edhe si partnerë në rimëkëmbjen e Ukrainës”, theksoi Mucunski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit