Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë sot në edicionin e gjashtë të Thessaloniki Metropolitan Summit, të organizuar nga The Economist, ku si mysafire nderi dhe folëse kryesore iu drejtua përfaqësuesve të lartë nga politika, ekonomia dhe biznesi në Greqi, rajon dhe Evropë.
Samiti i këtij viti, me temën “Axis 2030: Powering connectivity, unlocking growth for south-east Europe”, u fokusua në të ardhmen e ndërlidhjes, zhvillimin ekonomik dhe sfidat gjeopolitike e energjetike me të cilat përballet Evropa Juglindore.
Në fjalimin e saj, Bozhinovska theksoi se siguria energjetike lidhet drejtpërdrejt me diversifikimin e burimeve, zhvillimin e infrastrukturës ndërkufitare dhe forcimin e lidhjeve rajonale.
“Pavarësia energjetike do të thotë sovranitet shtetëror. Sot nuk mjafton vetëm të kemi energji – duhet të dimë nga ku mund të vijë, nëpër cilat rrugë mund të arrijë dhe nëse ato rrugë janë të sigurta, të diversifikuara dhe të ndërlidhura. Varësia nga një furnizues i vetëm na bën të brishtë. Prandaj diversifikimi dhe lidhja ndërkufitare nuk janë më çështje zgjedhjeje, por çështje sigurie energjetike dhe zhvillimi ekonomik”, deklaroi ministrja.
Një nga temat kryesore të panelit ishte Korridori Vertikal i Gazit, të cilin Bozhinovska e vlerësoi si një projekt të rëndësishëm për arkitekturën e re energjetike dhe gjeostrategjike të Evropës Juglindore.
“Korridori vertikal nuk është vetëm infrastrukturë gazi. Ai është arkitektura e re e sigurisë, ekonomisë dhe gjeostrategjisë së Evropës Juglindore”, tha ajo.
Sa i përket interkonektorit të gazit me Greqinë, Bozhinovska njoftoi se ndërtimi po zhvillohet sipas dinamikës së planifikuar. Interkonektori do të ketë gjatësi totale prej 123 kilometrash, prej të cilave rreth 68 kilometra në territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027.
Sipas ministres, ky projekt do t’i sigurojë vendit qasje direkte në korridorin jugor të gazit dhe në terminalet LNG të Revithusës dhe Aleksandrupolit.
Duke folur për interkonektorin me Serbinë, Bozhinovska theksoi se synimi është krijimi i një lidhjeje të re drejt veriut, me çka Maqedonia e Veriut do të mund të shndërrohej nga pikë fundore në një korridor tranzit energjetik që lidh jugun me Evropën Qendrore dhe Lindore.
Ajo shtoi se infrastruktura e re po zhvillohet me mundësi për transportin e hidrogjenit në të ardhmen dhe në përputhje me objektivat afatgjata të Bashkimit Evropian për dekarbonizim.
Ministrja foli edhe për investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, veçanërisht në energjinë diellore dhe të erës, si dhe për modernizimin e rrjetit elektrik dhe forcimin e interkonjeksioneve ndërkufitare, përfshirë linjën Bitola–Elbasan, e cila është pjesë e Korridorit 8.
“Asnjë vend në Evropën Juglindore nuk mund ta sigurojë vetë sigurinë energjetike. Prandaj na nevojitet solidaritet rajonal, lidhje infrastrukturore dhe treg energjetik i përbashkët”, theksoi Bozhinovska.
Në përmbyllje të fjalimit, ajo tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj vizionit evropian për një sistem energjetik të ndërlidhur, konkurrues dhe rezistent.
“Jemi të gatshëm për punë, të gatshëm për investime dhe të gatshëm të jemi shtyllë e sigurt e rezistencës energjetike të Evropës Juglindore”, përfundoi Bozhinovska.






