Një shtetas 34-vjeçar nga Mali i Zi është arrestuar në pikën kufitare Tabanoc, pasi kishte drejtuar automjetin me 185 km/h në një pjesë të autostradës ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 km/h.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 14 tetor 2026, në orën 14:25, në dalje të vendit, policia ka ndaluar M.N. (34), i cili drejtonte një automjet të tipit “BMW” me targa malazeze.
Gjatë kontrollit, përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” u konstatua se ai ishte evidentuar për veprën penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
Shkelja ishte regjistruar më herët në autostradën Shkup–Tabanoc, pranë kryqëzimit të Deljadrovcit, ku shoferi kishte lëvizur me 185 km/h, duke tejkaluar kufirin e lejuar të shpejtësisë me 85 km/h.
Ai është shoqëruar në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal përkatës.








