Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, është kritikuar për deklaratat e tij lidhur me aktgjykimin që pritet të shpallet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin ndaj ministrit thuhet se, në vend që të fokusohet në zhvillimet gjyqësore në Kosovë, Shasivari duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje problemeve dhe reformave të sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Autori i reagimit i referohet edhe programit të subjektit politik nga i cili vjen Shasivari, duke renditur si prioritete evropianizimin e drejtësisë, reformën dhe vettingun në gjyqësor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe rritjen e investimeve në gjyqësor dhe prokurori.
Kritika ngrihen edhe për qëndrimin e ministrit ndaj disa rasteve gjyqësore të shumëpërfolura në vend. Në reagim përmenden rastet “Llaskarca”, “Lagjja e Trimave”, “27 Prilli”, “Besa Trans”, “Spitali Modular” dhe rasti i Almir Aliut.
Sipas autorit, Shasivari duhet të japë përgjigje dhe të angazhohet për çështjet që lidhen me sistemin vendor të drejtësisë, për të cilat, si ministër i Drejtësisë, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Reagimi vë në pikëpyetje edhe deklaratën e Shasivarit se qytetarët duhet t’i besojnë drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
“Drejtësisë duhet t’i besojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Shasivari.
Ndërkohë, autori i reagimit argumenton se besimi në drejtësi duhet të ndërtohet përmes reformave konkrete, trajtimit të rasteve të hapura dhe forcimit të institucioneve të drejtësisë në vend.






